Kuvendi i Kosovës do të mblidhet edhe sot në përpjekjen e 35-të për konstituim të legjislaturës së nëntë parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Seanca është caktuar të nisë nga ora 10:30.
Në seancën e para dy ditëve, mungoi kuorumi për formimin e një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit që e propozoi kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Kjo ishte hera e 26-të që dështoi formimi i këtij komisioni përmes të cilit partia e parë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, synoi të zëvendësojë hedhjen në votim të kandidates së tyre për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, meqë për disa seanca radhas s’arriti t’i merrte votat e nevojshme.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe nuk propozuan nga një anëtar për formimin e këtij komisioni.
Edhe pas dështimit të 34-të partitë politike në prononcimet pas seancave nuk dhanë shenja se do të ketë ndryshim qëndrimesh.