Një informacion i rëndësishëm u bë publik gjatë një konference për shtyp të mbajtur në Kuala Lumpur nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Ai deklaroi se gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u diskutua edhe për humbjet e mëdha të të dyja palëve në luftën në Ukrainë.
Rubio theksoi se që nga fillimi i këtij viti, Rusia ka humbur mbi 100.000 ushtarë të vrarë, jo të plagosur, por të vrarë. Nga ana ukrainase, megjithëse ka pasur gjithashtu humbje të konsiderueshme, numri i viktimave është më i vogël.
“Është e rëndësishme të theksoj se, që nga janari i këtij viti, Rusia ka humbur 100.000 ushtarë – të vrarë – jo të plagosur – të vrarë. Ndërsa nga pala ukrainase, shifrat janë më të ulëta, por gjithsesi shumë të mëdha. Presidenti Donald Trump nuk i pëlqen luftërat. Ai i sheh si një humbje parash dhe jetësh njerëzore, dhe dëshiron që ato të përfundojnë. Ai do të bëjë gjithçka që është në dorën e tij për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe çdo lufte tjetër që ka mundësi ta përfundojë, siç keni parë edhe në të kaluarën,” deklaroi Rubio, sipas transkriptimit të publikuar nga Departamenti i Shtetit i SHBA.
Gjatë takimit, të dy zyrtarët diskutuan edhe për mundësinë e një qasjeje të re për përfundimin e konfliktit, pa dhënë detaje. Rubio tha se do t’ia paraqesë këto propozime presidentit amerikan Donald Trump për shqyrtim.
Gjithashtu, ai shprehu pakënaqësinë e administratës amerikane për mungesën e fleksibilitetit nga ana e Rusisë në negociatat për paqe.
Ky takim ndodhi në sfondin e një intensifikimi të sulmeve ruse ndaj Ukrainës, përfshirë edhe kryeqytetin Kiev, ku janë lëshuar qindra dronë dhe raketa.
Presidenti ukrainas, Volodimir Zelensky, ka kërkuar mbështetje shtesë nga aleatët ndërkombëtarë për të forcuar mbrojtjen ajrore të vendit të tij.