Njësoj si të gjitha bashkitë e vendit, edhe Bashkia e Tiranës pritet t’i nënshtrohet një “rifreskim” në nivele drejtuese.
Burime per report Tv bejne me dije se gjatë takimit të sotëm me deputetët e PS në Tiranë dhe përfaqësues të pushtetit vendor në kryeqytet, kryeministri Edi Rama ka kërkuar hapjen e garës për nënkryetarët e rinj të bashkisë, pa përjashtuar ata aktualët.
Të njëjtat burime i thanë Report Tv se do të caktohen 4 nënkryetarë të rinj, me një proces përzgjedhjeje. Nga ky ristrukturim nuk preket Anuela Ristani, që është aktualisht jo zv/kryetare, por Kryetare e Komanduar në Detyrë e Bashkisë së Tiranës. Si në bashkitë e tjera të vendit, është ngritur një grup pune ku 3 prej anëtarëve janë Blendi Gonxhja, Ogerta Manastirliu dhe Petrit Malaj, të cilët do të zhvillojnë intervista me kandidatët për nënkryetarë.
Nënkryetarëve atualë, Frida Pashako, Andi Seferi, Keti Luarasi dhe Jonida Halili, mësohet tu ketë thënë se janë të mirëpritur në garë, me platformat dhe vizionin e tyre për sektorët përkatës.
Kryetares në detyrë, Anuela Ristani, specifikisht i ka lënë detyrë dixhitalizimin e Bashkisë, si dhe drejtimin e punës për adoptimin e një strukturë të re organizative në Bashkinë Tiranë, e cila është konceptuar në bashkëpunim me Institutin Tony Blair, dhe që adoptohet edhe në bashki të tjera.