Një tank T-34 i epokës sovjetike parakaloi në Sheshin e Kuq, si simbol i trashëgimisë ushtarake që Rusia përpiqet ende ta përdorë për propagandë. Ndërkohë, në prapaskenë, realiteti logjistik i ushtrisë ruse tregon një tjetër pamje – stoqet e mëdha të armëve të vjetra janë shteruar pothuajse plotësisht pas viteve të luftës së vazhdueshme në Ukrainë.
Sipas një analizë të botuar nga The Economist, bazuar në të dhëna logjistike të përpunuara nga Instituti i Shkollës së Ekonomisë në Kiev (KSE), dërgesat e armatimeve nga depot kryesore ruse drejt vijës së frontit kanë rënë në mënyrë drastike. Nga një maksimum prej 242 mijë tonësh në vitin 2022, ato pritet të zbresin në vetëm 119 mijë tonë në vitin 2025. Analisti Pavlo Shkurenko deklaron se kjo tregon qartë se Rusia ka harxhuar pjesën më të madhe të materialit të saj të përdorshëm dhe tani po dërgon shumë më pak pajisje për riparim dhe rikonstruksion sesa kapaciteti i njohur i qendrave të riparimit. Ai shton se pjesët më të mira, më të lehta për riparim, ishin të parat që u nxorën nga depozitat.
Që nga viti 2022, Rusia ka përdorur strategjinë e rikthimit në fushë të pajisjeve të nxjerra prej kohësh nga përdorimi aktiv. Një numër i madh tankesh T-72 dhe T-80, që datojnë nga vitet 1970, janë riparuar dhe dërguar në Ukrainë. Më e habitshme është se edhe modele si tanku T-54, prodhuar në fund të viteve 1940, janë përdorur në luftime, duke treguar thellësinë e krizës së furnizimit.
Analisti ushtarak me bazë në Vjenë, Franz-Stefan Gady, është shprehur se kjo rënie e dërgesave nuk duhet domosdoshmërisht të interpretohet si humbje e efikasitetit ushtarak rus. Ai thekson se taktikat e ushtrisë ruse kanë evoluar në drejtim të përdorimit të një numri më të vogël të automjeteve të blinduara dhe se investime të mëdha po bëhen për ndërtimin e stoqeve të reja.
Analiza e KSE-së tregon gjithashtu një zhvillim të rëndësishëm: Rusia po bëhet gjithnjë e më e varur nga aleatët e saj aziatikë për të plotësuar nevojat ushtarake. Industria vendase e mbrojtjes është gjithnjë e më e varur nga importet nga Kina, ndërsa ushtria furnizohet masivisht me municione nga Koreja e Veriut. Rreth 52 për qind e materialeve shpërthyese që kanë hyrë në arsenalet ruse në vitin 2024 vinin nga porti Nakhodka, pranë Detit të Japonisë – një rrugë e përdorur nga Koreja e Veriut për dërgimin e ndihmës ushtarake. Këto dërgesa, që ishin zero para fillimit të luftës, arritën në rreth 250 mijë tonë në vitin 2024.
Sipas analistit Lucas Risinger nga KSE, varësia e Rusisë ndaj Koresë së Veriut është një kontrast i fortë me imazhin e vetë-mjaftueshmërisë që Moska përpiqet të projektojë. Ai thekson se kjo përputhet me vlerësimet e shërbimeve të inteligjencës ushtarake të Ukrainës, sipas të cilave 40 për qind e municioneve që përdor Rusia vijnë nga Koreja e Veriut. Po ashtu, edhe shërbimet e inteligjencës së Koresë së Jugut raportuan se rreth 28 mijë kontejnerë janë dërguar nga Pheniani në Rusi. Dihet gjithashtu se Koreja e Veriut ka furnizuar Rusinë me raketa balistike, obuzjerë dhe madje edhe trupa ushtarake.
Ndihma për Rusinë nuk ka ardhur vetëm nga Koreja e Veriut. Instituti KSE ka identifikuar rreth 13 mijë tonë materiale shpërthyese që besohet të kenë ardhur nga Irani, pasi janë futur në rrjetin logjistik rus në afërsi të Detit Kaspik, një zonë përmes së cilës kalon furnizimi iranian.
Në lidhje me Kinën, analiza tregon se edhe pse Pekini nuk i ka dërguar Moskës ndihmë ushtarake të drejtpërdrejtë, ai ka qenë vendimtar për mbajtjen në këmbë të industrisë ruse të mbrojtjes. Transportet e mallrave nga rajonet kufitare lindore të Rusisë drejt uzinave të industrisë së mbrojtjes janë pothuajse dyfishuar, duke kaluar mbi 3 milionë tonë që nga viti 2021. Sipas Risinger, Kina i furnizon Rusisë pajisjet dhe komponentët e nevojshëm për funksionimin e makinerisë së luftës, edhe pse zyrtarisht mohon të japë ndihmë “vdekjeprurëse”.