Në oborrin e Postës së Kosovës shumë shpejt do të zënë vend disa vetura të reja, pas përfundimit të procedurave të tenderimit për furnizimin me automjete për nevojat e saj operative.
Kompania publike tashmë ka shpallur fituesin për tenderin “Furnizim me pik-up me bateri (elektrike) – 5 copë dhe furnizim me pik-up me derivate të naftës – 5 copë”. Fitues i kontratës është shpallur kompania “Delfin Auto” SH.P.K., ndërsa vlera e përgjithshme e kontratës është 267 mijë euro.
Shpallja e fituesit vjen pas një plani të mëhershëm të menaxhmentit të Postës së Kosovës për të rinovuar flotën e automjeteve të transportit dhe atyre të udhëtarëve. Për këtë qëllim, ishte hapur një tender me vlerë të parashikuar prej 275 mijë eurove.
Në njoftimin e mëhershëm të publikuar në platformën e-prokurimi ishte bërë e ditur se me këtë shumë do të bliheshin 7 vetura të transportit të dërgesave postare dhe 2 vetura të udhëtarëve.
“Vlera e parashikuar e kontratës: 250 000,00. Furnizim me 7 vetura të transportit të dërgesave postare dhe furnizim me 2 vetura të udhëtarëve”. Numri i prokurimit: vetak-22-7787-1-1-1, nr. të brendshëm: PK-22-41-111”, thuhej në njoftim.
Sipas kushteve të tenderit, veturat e kërkuara duhet të jenë të reja, me kilometrazh zero dhe prodhim i vitit 2022. Po ashtu, është kërkuar që të kenë garancion prej së paku 5 vitesh nga momenti i liferimit.
Në kuadër të garancionit është kërkuar të përfshihet edhe asistenca rrugore pa kosto shtesë, si dhe lista me çmime për servis të rregullt. Afati i liferimit të automjeteve ishte përcaktuar të jetë maksimum një vit kalendarik nga data e nënshkrimit të kontratës.
Afati për pranimin e tenderëve kishte përfunduar më 20 shtator 2022. Pas vlerësimit të ofertave, Posta ka njoftuar për përzgjedhjen e “Delfin Auto” si operator ekonomik fitues të kësaj kontrate.