Nga pushimi i punonjësve te promovimi i xhinseve, nga thirrjet për marrëveshje paqeje te riemërtimi i një ekipi sportiv, presidenti Donald Trump ka shumë në listën proverbiale të gjërave për të bërë. Shumë prej tyre nuk kanë asnjë lidhje me drejtimin e vendit, shkruan Reuters.
Më shumë se gjashtë muaj pas fillimit të mandatit të tij të dytë si kryetar i shtetit amerikan, Donald Trump, ish-biznesmen nga New York dhe prezantues i reality-show, ka adoptuar një stil menaxhimi praktik dhe një qasje prej producenti në qeverisje, duke u bazuar kryesisht në instinktin e tij për marrjen e vendimeve, si ato të rëndësishme, ashtu edhe të vogla.
Duke përdorur mjetet e rrjeteve sociale dhe prirjen për të intimiduar, Trump përfshihet personalisht në çështje brenda dhe jashtë qeverisë federale për të arritur qëllimet e tij. Ai i nxit drejtorët e kompanive të investojnë në Amerikë dhe përdor marrëveshjet tregtare si levë mbi liderët e huaj për të ndalur konfliktet, raporton News.ro.
Së fundmi, ai e pushoi nga detyra shefen e Zyrës së Statistikave të Punës bazuar në akuza të pabazuara se kishte falsifikuar shifrat që nuk i pëlqenin. Javën e kaluar, ai kërkoi dorëheqjen e shefit të Intel për shkak të lidhjeve me Kinën dhe aksionet e kompanisë ranë. (CEO i Intel, Lip-Bu Tan, pritet të shkojë të hënën në Shtëpinë e Bardhë, raportoi të dielën The Wall Street Journal, duke cituar burime të njohura me çështjen).
Gjithashtu, në muajt e fundit, Donald Trump ka shtyrë ekipin e futbollit “Washington Commanders” të rikthejë emrin e mëparshëm “Redskins”, ka detyruar universitetet të paguajnë shuma të mëdha qeverisë federale, ka nxitur aksionet e kompanisë “American Eagle Outfitters” me një kompliment për një reklamë të diskutueshme të xhinseve me aktoren Sydney Sweeney dhe ka tentuar të forcojë pushtetin republikan duke promovuar ridistrubimin e zonave elektorale në Texas.
Stili i Trump, që mund të hutojë si miqtë, ashtu edhe armiqtë e tij, është radikalisht i ndryshëm nga ai i paraardhësve më tradicionalë. Kjo i ka sjellë si kritika për tonin e ashpër, ashtu edhe lavdërime për efikasitetin me të cilin arrin atë që dëshiron.
“Edhe pse merret me tema që janë padyshim shpërqendrim nga detyra e madhe e drejtimit të vendit më të madh në botë, mund të thuhet se edhe presidentët e kaluar janë dorëzuar tepër përballë burokracisë dhe nuk kanë arritur të sjellin ndryshimin që prisnin votuesit e tyre”, tha Carlos Curbelo, ish-kongresmen republikan nga Florida.
“Trump e sheh veten më shumë si CEO i SHBA-së sesa si president”, shtoi Curbelo. “Kjo është e mirë për marrjen e vendimeve, por një sfidë për rendin kushtetues që e ka bërë vendin tonë fuqinë më të madhe ekonomike dhe ushtarake në botë”.
Trump është përplasur me akademinë, botën juridike, kompanitë mediatike, sportin, burokracinë federale dhe shumë të tjera, ndërsa ka riorganizuar ekonominë botërore me tarifa, ka marrë masa të ashpra ndaj flukseve të emigrantëve, ka përmbysur marrëdhëniet me aleatët dhe ka lënë gjurmën e tij në kulturën amerikane.
Megjithëse ka një ekip këshilltarësh, presidenti shpesh ndjek këshillat e veta, duke marrë vendime politike dhe duke i shpallur vetë, pa marrë parasysh pasojat.
“Mendoj se ajo që shumë njerëz nuk kuptojnë te Trump është se ai është shefi i departamentit të marketingut”, tha Ford O’Connell, një strateg republikan me lidhje në Shtëpinë e Bardhë.
“Jo vetëm që është zëdhënësi më i mirë i vetvetes, por është edhe shefi i vet kabinetit”, shtoi ai.
Një dobësi dhe një superfuqi
Kritikët pyesin pse Trump shpenzon kohë me çështje dytësore në krahasim me objektivat e tij si forcimi i ekonomisë amerikane ose arritja e një marrëveshjeje paqeje mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Në një moment komenton për Putinin, tarifat dhe gjithçka që ndodh në botë, dhe në momentin tjetër flet për Sydney Sweeney dhe të tjera çështje që nuk kanë asnjë lidhje me detyrën e presidentit të SHBA-së”, tha Charlie Dent, ish-kongresmen republikan nga Pennsylvania.
“Thjesht nuk mund të përqendrohet”, shtoi Dent.
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se Trump përdor aftësitë e tij për të realizuar prioritetet politike.
“Stili i udhëheqjes së presidentit Trump mund të përmblidhet thjesht si vendimtar dhe autoritar”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Harrison Fields.
Trump përdor gjithashtu aftësinë e tij për të shpërqendruar vëmendjen kur përballet me vështirësi. Edhe pse kjo “superfuqi” nuk i ka ndihmuar shumë në debatin për rastin e abuzuesit seksual Jeffrey Epstein dhe refuzimin e Departamentit të Drejtësisë për të bërë publike dosjet përkatëse, aftësia e tij për të ndryshuar temën dhe për të dominuar ciklin mediatik i ka habitur kundërshtarët prej vitesh.
“Stili i tij i udhëheqjes është shumë më afër atij të një producenti ekzekutiv, i cili ka një kuptim shumë të mirë të audiencës”, tha strategu republikan Kevin Madden, këshilltar i lartë i ish-guvernatorit të Massachusetts, Mitt Romney, në fushatat presidenciale të 2008 dhe 2012.
“Mendoj se ai ka më shumë besim te instinktet e tij për publikun sesa te kushdo tjetër dhe kjo është arsyeja pse e shohim shpesh duke menaxhuar vetë portofolin e tij politik”.
Trump, edhe pse nuk është një perfeksionist në çdo aspekt të politikës, merret me detajet kur bëhet fjalë për gjërat që i interesojnë, si kulturore ashtu edhe politike, përfshirë redekorimin e Zyrës Ovale me ar, shtrimin e kopshtit Rose Garden dhe ndërtimin e një salle të re balloje në Shtëpinë e Bardhë.
Të martën, gazetarët bënë shaka me presidentin teksa ai ecte mbi çatinë e sallës së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, duke inspektuar terrenin për atë që e quajti “më shumë mënyra për të shpenzuar paratë e mia”.
Shtëpia e Bardhë tha se Trump dhe dhurues të tjerë synojnë të financojnë projektin e sallës së ballos prej 200 milionë dollarësh, që do të përfundojë para mbylljes së mandatit të tij të dytë.
“Mendoj se narcisistët ngecin në detaje sepse mendojnë se gjithçka është një pasqyrim i tyre”, komentoi strategia republikane Rina Shah.
“Kur vendos të përqendrohet në detaje, harron pamjen e përgjithshme. Dhe kjo, në një farë mënyre, dëmton detyrën e tij”.
Por atje ku kritikët shohin një dëm të tillë, Shtëpia e Bardhë sheh rezultate. Në prag të ndërmjetësimit të marrëveshjes së paqes të negociuar nga SHBA mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, Trump iu drejtua rrjeteve sociale për të promovuar angazhimin e tij:
“Shumë liderë kanë provuar të ndalin luftën, pa sukses. Deri tani, falë TRUMP”, shkroi presidenti.