Udhëheqësit evropianë që përbëjnë “koalicionin e të vullnetshëmve” do të zhvillojnë një video konferencë të dielën, përpara se Volodymyr Zelensky të udhëtojë për në Uashington për t’u takuar me Donald Trump. Koalicioni, i bashkëkryesuar nga Keir Starmer, Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz, ka për qëllim bashkimin e vendeve për të mbrojtur një marrëveshje paqeje në Ukrainë.
Në krye të axhendës në konferencën e së dielës do të jetë sigurimi i një angazhimi konkret nga Trump për një garanci sigurie që do të vepronte si një pengesë e fuqishme në çdo marrëveshje paqeruajtëse Rusi-Ukrainë. Ata do të diskutojnë gjithashtu se si ta bëjnë Zelenskyn pjesë të bisedimeve, pasi Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin e lanë jashtë loje me samitin që mbajtën të premten në Alaska.
Në një deklaratë të përbashkët, udhëheqësit evropianë thanë se Zelensky duhet të luajë një rol më të madh në bisedimet e ardhshme dhe se paqja nuk mund të arrihet pa të. Pjesa e vështirë do të jetë bindja e administratës amerikane që të ndryshojë qasjen e saj, diçka që ka rezultuar pothuajse e pamundur deri më tani.
Kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar dhe e bëri të qartë se SHBA-të nuk do të jepnin më një çek të bardhë për të mbrojtur paqen në Evropë, të tjerët vendosën se duhej të ndërmerrnin hapa dhe “koalicioni i të vullnetshmëve” u krijua në mars.
Presidenti amerikan Donald Trump u ka thënë udhëheqësve evropianë se dëshiron të organizojë një samit trepalësh midis tij, presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atij rus Vladimir Putin deri të premten e ardhshme, raporton CNN.
Sipas asaj që raporton media amerikane, Trump thotë se do të punojë për të organizuar takimin nëse bisedimet e së hënës në Zyrën Ovale me Zelenskyn shkojnë mirë.
Evropianët presin që të paktën një udhëheqës tjetër evropian t’i bashkohet bisedimeve të së hënës, por ende nuk është e qartë se kush.