Në qendër të Shkupit, te sheshi i vogël afër Kim-it, një instalacion i ri artistik-aktivist me titull “Fike gjuhën e urrejtjes” është vendosur në publik. Përmes këtij aksioni, artistët dhe aktivistët dërgojnë një mesazh të fuqishëm, ndonëse qytetarët dëshirojnë ta fikin gjuhën e urrejtjes, barrierat sistemike e bëjnë këtë akt pothuajse të pamundur. Kjo luftë, sipas autorëve, kërkon unitet, solidaritet dhe presion publik, shkruan Portalb.mk.
Elementi kryesor i instalacionit është një ndërprerës gjigant me përmasa 100x200x150 cm. Ky buton është simbolikisht për qytetarët që të provojnë të “fikin” gjuhën e urrejtjes. Megjithatë, pikërisht pamundësia për të fikur gjuhën e urrejtjes në realitet është thelbi i aksionit. Butoni është i mbrojtur me një gardh druri të mbështjellë me tela me gjemba, që thekson vështirësinë e kapërcimit të pengesave të krijuara nga ata që e përhapin urrejtjen.
Simbolikë shtesë sjellin edhe figurat e “rojtarëve” – silueta ushtarësh rreth ndërprerësit. Secila figurë mban mbishkrimin e “mbjellësve” më të shpeshtë të urrejtjes: partitë politike, ekstremistët, rrjetet sociale, kuazi-mediat e të tjerë.
Siç informojnë organizatorët, pikërisht pamundësia e përjashtimit të gjuhës së urrejtjes në realitet është qëllimi i këtij veprimi.
“Butoni është i mbrojtur nga një gardh druri i mbështjellë me tela me gjemba, i cili simbolizon vështirësinë e kapërcimit të pengesave të krijuara nga ata që përhapin gjuhën e urrejtjes. Simbolikë shtesë janë siluetat e “rojeve” – figura ushtarësh me mbishkrime që tregojnë “mbjellësit” më të zakonshëm të urrejtjes: partitë politike, ekstremistët, rrjetet sociale, kuazi-mediat dhe të tjerët”, thuhet në deklaratë.
Kalimtarët që panë instalacionin artistik komentuan se “urrejtja bën politikë dhe se njerëzit duhet të bëhen të vetëdijshëm dhe të funksionojnë së bashku, pavarësisht nëse janë shqiptarë, boshnjakë apo ndonjë etni tjetër.”
Një qytetar tjetër tha se “gjuha e urrejtjes është karakteristikë e njerëzve që nuk e dinë dhe nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë, dhe më shpesh e kanë këtë urrejtje ndaj vetes, dhe pastaj ndaj të tjerëve.”
Është me rëndësi të theksohet se në Maqedoninë e Veriut gjuha e urrejtjes është vepër penale, që do të thotë se çdo nxitje publike e urrejtjes ndaj personave apo grupeve në bazë të përkatësisë etnike, fetare, gjinore ose tjetër dënohet me ligj.
Qëllimi i vendosjes së aksioneve të tilla nuk është vetëm të tërheqë vëmendjen, por edhe të nxisë mendimin kritik dhe debatin publik. Ky instalacion dëshmon se kultura dhe arti janë vegla të fuqishme për ndryshim dhe mbrojtje të vlerave demokratike. Aksioni është vendosur në kryqëzimin e rrugës “Leninova” (Aminta i Tretë) dhe bulevardit “Partizanski Odredi”.
Ky aksion është përgatitur nga Qendra për Arte Bashkëkohore – Shkup, në kuadër të projektit Rrjeti për Diversitet 2.0 – Agjenda e Re, të cilin e zbaton Shoqata për Avancimin e Praktikave të Gazetarisë “Media Inovative – Shkup”.
Mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes ndër vite ka rritur edhe më shumë këtë fenomen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe ekspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë.
Gjithashtu kujtojmë se më 3 shtator një grup maqedonasish kanë rrahur dy nxënës të shkollës ekonomike të Tetovës, të cilët si pasojë e lëndimeve u dërguan në Spitalin Klinik të Tetovës. Në fund të muaji gusht në Manastir, disa persona të panjohur rreth 20 vjeç iu afruan një personi për t’i zhveshur bluzën që kishte veshur, e cila kishte të vizatuar një kokë shqiponje në pjesën e përparme dhe të pasme. Për të dy rastet kishte reagim të policisë, por nuk dihet se çfarë masash do të ndërmerr prokuroria dhe më pas gjykata.