Shqipëria është gati që brenda 2026-ës të mbyllë 10 kapitujt e parë në bisedimet për anëtarësim me Bashkimin europian. Një raport i qeverisë për ecurinë e procesit, shpjegon me detaje hapat e ndërmarrë, që nga plotësimi i 92 hendeqeve për përmbushjen e 24 piketave të ndërmjetme, deri të dhjetra akte regullatore. Raporti jep me shifra dhe rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave gjatë vitit 2025.
***
Me të gjithë grupkapitujt e hapur, në procesin e bisedimeve për anëtarësim, Shqipëria është në pritje të miratimit të Raportit të Vlerësimit të piketave të ndërmjetme nga vendet anëtare. Më 26 shkurt Komisioni kishte dhënë opinionin e tij pozitiv.
Piketat e ndërmjetme lidhen me dy kapituj, (Kapitulli 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe Kapitulli 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”), pjesë e grupit të parë. Ato përfshijnë çështjet më delikate që lidhen me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.
Në raportin që qeveria ka dorëzuar në parlament mbi ecurinë e procesit integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, shpjegohet se për përmbushjen e 24 piketave të ndërmjetme është punuar për adresimin e 92 çështjeve të ashtuquajtura hendeqe kritike, të dakortësuara më parë me Komisionin europian, nga lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, te konsolidimi i reformës në drejtësi, të drejtat e njeriut dhe barazia.
Kapitulli 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”
• Numri i Kushteve të Ndërmjetme: 14
• Numri i Hendeqeve Kritike: 64
Kapitulli 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”
• Numri i Kushteve të Ndërmjetme: 10
• Numri i Hendeqeve Kritike: 28
Janë të paktën 75 akte rregullatore që Shqipëria ka ndërmarrë në funksion të përmbushjes së Piketave të Ndërmjetme.
Raporti i Qeverisë thotë se edhe rezultatet konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit gjatë vitit të shkuar kanë qenë inkurajuese
Janë 74 hetime dhe 18 aktakuza të reja të ngritura ndaj krimit të organizuar, ndërsa paralelisht gjykatat kanë dhënë 61 vendime të formës së prerë.
Krimi i organizuar
74 hetime të reja
18 aktakuza të reja.
61 vendime gjyqësore të formës së prerë
Sa i përket korrupsionit të zyrtarëve të lartë ka pasur 6 hetime dhe 10 aktakuza të reja. Nga ana e tyre gjykatat kanë dhënë 6 vendime të formës së prerë me 5 dënime përfundimtare.
Korrupsioni i nivelit të lartë
6 hetime të reja
10 aktakuza të reja.
6 vendime gjyqësore të formës së prerë
5 dënime përfundimtare
Shifra shumëfish më të larta për korrupsionin në nivele jo të larta.
Korrupsioni – (jo niveli i lartë)
878 hetime të reja
236 aktakuza të reja
287 vendime gjyqësore të formës së prerë
221 dënime përfundimtare
Edhe për pastrimin e parave, Raporti tregon se ka pasur 207 hetime dhe 23 aktakuza të reja, me gjykatat që nga ana e tyre kanë dhënë 16 vendime të formës së prerë dhe 15 dënime përfundimtare.
Pastrimi i parave
207 hetime të reja
23 aktakuza të reja.
16 vendime gjyqësore të formës së prerë
16 dënime përfundimtare.
Miratimi nga vendet anëtare të piketave të ndërmjetme, do t’i hapte rrugë fazës tjetër të procesit, atë të mbylljes së kapitujve.
Shqipëria sipas raportit, mund të konsiderohet se është gati që tani që të mbyllë 3 kapitujt e parë, dhe është në fazë të avancuar për të mbyllur dhe 7 kapituj të tjerë brenda këtij viti.
3 KAPITUJT E PARË (30, 25 dhe 26):
Progresi i arritur është i tillë që mund të vlerësohet se, në një masë të konsiderueshme, kërkesat teknike të Kushteve Mbyllëse janë përmbushur.
4 KAPITUJT TË TJERË (6, 7, 20 dhe 32):
Progresi është i avancuar dhe puna vjen duke u përmbyllur për Kushtet Mbyllëse në muajt pasardhës.
3 KAPITUJT TË TJERË (4, 5 dhe 21):
Puna vazhdon me prioritet për plotësimin e Kushteve Mbyllëse dhe ka progres të besueshëm për maturimin e tyre teknikisht brenda këtij viti (objektiv paraprak).
E konsideruar si shtylla kryesore e procesit të integrimit, në raport zë vend qendror reforma në drejtësi. Dokumenti evidenton funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë, përfshirë SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe emërimet e reja në strukturat kyçe.
Po ashtu nënvizohet ulja e stokut të çështjeve të prapambetura në gjykata, sidomos në Gjykatën e Lartë, si dhe avancimi i projekteve për digjitalizimin e sistemit gjyqësor.
Lufta kundër korrupsionit është një tjetër kapitull i rëndësishëm i raportit. Qeveria paraqet rritje të referimeve nga tatimet, doganat, kadastra, BKH dhe Policia e Shtetit. Në raport evidentohet ndërmarrja e hapave ligjorë për forcimin e integritetit publik, përfshirë ligjin për konfliktin e interesit, ligjin për lobimin dhe përmirësimin e mbrojtjes së sinjalizuesve. Gjatë kësaj periudhe, qeveria thotë se janë miratuar 75 akte ligjore që lidhen
Në dokument përmendet edhe vlerësimi pozitiv nga GRECO, mekanizmi i Këshillit të Europës kundër korrupsionit. Sipas raportit, 18 nga 24 rekomandime janë konsideruar të zbatuara ose të trajtuara në mënyrë të kënaqshme, ndërsa 6 rekomandime mbeten ende të hapura, kryesisht në fushën e transparencës, konfliktit të interesit dhe integritetit të funksionarëve publikë.
Raporti ndalet gjithashtu tek të drejtat themelore dhe përafrimi i legjislacionit me standardet europiane. Gjatë kësaj periudhe janë miratuar ligje që lidhen me barazinë gjinore, mbrojtjen nga diskriminimi, mbrojtjen e të dhënave personale, dhunën në familje dhe transparencën në media.
Një tjetër element që evidentohet është e drejta e pronës dhe modernizimi i shërbimeve publike. Raporti përmend avancimin e digjitalizimit të kadastrës, legalizimet, kompensimin e pronarëve dhe automatizimin e një sërë shërbimesh për qytetarët dhe bizneset.
Objektivi politik mbetet anëtarësimi në Bashkimin Europian brenda vitit 2030, megjithëse realizimi i tij do të varet si nga progresi i brendshëm, ashtu edhe nga vullneti politik i vendeve anëtare të BE-së.