Banorët e rrugës “Done Bozhinov”, në lagjen e njohur si “Permakove Njive” në Kumanovë, ankohen për gjendjen e keqe të rrugëve të lëna në baltë, pa asfalt apo pa begatona, të cilat u shkaktojnë vështirësi në lëvizje, sidomos gjatë reshjeve të shiut. Ata i bëjnë thirrje komunës që të ndërhyjë urgjentisht dhe ta rregullojë rrugën, pasi kalimi aty çdo ditë është bërë më i vështirë. Nga Komuna e Kumanovës theksuan se kjo rrugë nuk është përfshirë në programin vjetor të komunës, shkruan Portalb.mk.
Banorët që jetojnë afër “Done Bozhinov” ankohen se gjendja e rrugës është e paasfaltuar dhe e mbushur plot me gropa të mëdha.
Sipas tyre, kalimi i automjeteve është shumë i vështirë, dhe në shumicën e rasteve edhe taksistët refuzojnë të hyjnë aty.
Ata shprehen se situata rëndohet edhe më shumë gjatë reshjeve të shiut, kur rruga bëhet me baltë dhe lëvizja bëhet pothuajse e pamundur.
Një banor nga Kumanova thotë se rruga është në gjendje katastrofale dhe se taksistët refuzojnë t’i marrin për shkak të gjendjes së saj të keqe.
“Siç e shihni edhe vet, kjo rrugë është në gjendje katastrofale. Për këtë rrugë nuk ka kush të marrë masa për ta rregulluar. Kur ka zgjedhje, vijnë dhe na premtojnë, por më nuk i besojmë. Kemi kërkuar nga komuna që të rregullohet kjo rrugë, që është afër 2 kilometra larg nga qendra e qytetit të Kumanovës, por deri tani nuk kanë marrë masa. Edhe pse thonë se do të rregullohet, por fjalët mbeten vetëm fjalë. Për shkak të gjendjes së keqe të rrugës edhe taksistët na refuzojnë, dhe e kanë me të drejtë”, tha një banor.
Një banor tjetër theksoi se rruga është plot me gropa dhe bëhet me baltë sidomos kur bie shi.
“Unë çdo ditë kaloj në këtë rrugë, pasi jetoj në këtë lagje, dhe has pengesa të mëdha, sidomos kur bie shi, për shkak të baltës dhe gropave që e bëjnë kalimin pothuajse të pamundur për këmbësorët dhe automjetet. Kjo lagje është lënë në harresë, dhe kërkoj nga komuna që të ndërhyjë urgjentisht dhe ta rregullojë sa më shpejt këtë rrugë”, tha një banor tjetër.
Nga ana tjetër, një banor tha se kjo rrugë nuk është asfaltuar kurrë dhe kërkoi nga institucionet të ndërhyjnë menjëherë, pasi lëvizja aty është bërë pothuajse e pamundur.
“Çdo ditë përballemi me këtë rrugë, e cila kurrë nuk është asfaltuar dhe ku duhet të kalojmë nëpër baltë, sidomos pas shiut, duke e bërë kalimin më të vështirë dhe të rrezikshëm. Gropat e mëdha dhe uji që grumbullohet e bëjnë pothuajse të pamundur lëvizjen. Shumë herë automjetet tona dëmtohen dhe marrin plasaritje në goma. Kërkojmë nga institucionet përkatëse që të ndërhyjnë menjëherë dhe ta asfaltojnë këtë rrugë, sepse nuk mund të vazhdojmë të jetojmë dhe të lëvizim në këto kushte të papranueshme”, tha një banor.
Rruga“Done Bozhinov”, në lagjen e njohur si “Permakove Njive” në Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Rruga“Done Bozhinov”, në lagjen e njohur si “Permakove Njive” në Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Nga Komuna e Kumanovës bëjnë të ditur se rruga “Done Bozhinov” nuk është përfshirë në programin vjetor, dhe nuk është planifikuar zhvillimi i infrastrukturës për këtë lokacion.
“Nga Sektori për Punë Komunale, Infrastrukturë, Trafik dhe Mbrojtje të Mjedisit dhe Natyrës të Komunës së Kumanovës, kemi informacion se nuk është planifikuar zhvillim i tokës ndërtimore dhe infrastrukturës komunale për këtë vendndodhje. Vendndodhja nuk është përfshirë në programin vjetor të Komunës së Kumanovës”, thanë nga Komuna e Kumanovës.
Rruga“Done Bozhinov”, në lagjen e njohur si “Permakove Njive” në Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Rruga“Done Bozhinov”, në lagjen e njohur si “Permakove Njive” në Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Ndryshe, Portalb.mk në vazhdimësi ka raportuar për rrugët e dëmtuara në Kumanovë si ‘Veselin Vuçevski’, ‘Zona Industriale’, ‘Karl Marks‘ etj.