Ambasadori Christopher Hill ka treguar përshtypjet e tij për UÇK-në, Hashim Thaçi dhe procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë.
Ai, ka thënë se prokuroria ka synuar të vërtetojë përgjegjësinë komanduese dhe ta bëjë Thaçin përgjegjës për çdo krim që mund të ketë ndodhur në Kosovë.
“Asnjëherë nuk pashë një shembull të tillë. Unë nuk jam në dijeni të asnjë rasti të tillë kundër Thaçit. Nuk ka asnjë rast konkret kundër Thaçit. Prandaj ndjeva se duhet të shkoja në Hagë dhe të rrëfeja se çfarë dija. Po ju them se nuk kam njohuri për asnjë krim të kryer nga z. Thaçi dhe prandaj shkova”, tha Hill.
Hill, tha se nuk ka parë asnjë shembull që provon se UÇK dhe Thaçi kanë kryer krime që pretendon Prokuroria Speciale. Ai theksoi se UÇK-ja nuk ishte një organizim i fortë vertikal.
Në pyetjen e gazetarit Blendi Fevziu se përse Hashim Thaçi është në paraburgim, pasi që ai ka qenë një partner i amerikanëve gjatë luftës, por edhe pas luftës, dhe se është shumë e vështirë të ngresh një çështje të tillë pa mbështetje politike, Christopher Hill është përgjigjur se: “Mendoj që ka edhe politikë të përfshirë. Nuk po flas për Gjykatën, po flas për Kosovën.”