Sapo panë dritën e botimit katër veprat filozofike të filozofit të shquar shqiptar, Prof. Isuf Luzaj. Isuf Luzaj lindi në Kaninë, u rrit dhe u formua në një familje atdhetare e të kulturuar edhe në mjedisin patriotik të qytetit të Vlorës, ku mori mësimet e para dhe ndjesinë e së bukurës, më pas në gjimnazin shtetëror të Shkodrës, ku forcoi prirjet letrare, mandej studimet në universitetin e Sorbonës në Francë, ku u diplomua Doktor dhe Profesor i letërsisë e filozofisë me rezultate të shkëlqyera. Prof. Isuf Luzaj është një fenomen shmëdimensional, ku ndërthurret mësonjësi i shkollave te mesme, luftëtari nacionalist e demokrat, antifashisti i orëve të para, antikomunisti dhe veprimtari i bashkimit kombëtar, delegati i ‘Ballit Kombëtar’ në Kuvendin e Mukjes për një Shqipëri të lirë demokratike dhe etnike, i burgosur dhe i internuar në Ventotene nga fashizmi, i syrgjynosur dhe anatemuar nga diktatura komuniste, ku “Lumenjtë rrjedhin të kuq, siç shkruan ai, refugjati politik i endur nëpër botë, filozofi, historiani, sociologu, pedagogu, kritiku, anrtopologu, poeti, rrëfimtari, polemisti, me një prodhimtari të jashtëzakonshme krijuese, gati të panjohur e të pabotuar.
Bashkëthemelues i partisë socialdemokrate me Musine Kokalarin, Skënder Muçon dhe Selman Rizën, si një rrugë e mesme demokratike e liberale, me program liritë politike dhe shtetin e së drejtës. Mëtues i shkollës së filozofisë ekzistencialiste vepruese tek veprat filozofike, ngjizur me frymën Luziane të rindërtimit të fuqive shpirtërore, njohës e interpretues i filozofëve të mëdhenj të antikitetit, Rilindjes e të kohëve moderne deri te Niçe, Sartri, Kamy, Bergson etj., por që mbeti kurdoherë vetvetja si filozof. Veprat shkencore, letrare, eseistike, memoristike, por edhe kontributi i shquar akademik në universitetet e Argjentinës dhe të SHBA-ës, e bënë të njohur e të nderuar në botë. Shkrimtari i madh Borges i shkruan: “Lexova ditarët e tu dhe jam i gëzuar që një poet i huaj ka arritur lartësi akademike. Ju kini lindur poet”.
Vlerësimi i Fan Nolit në Boston ishte i ndjerë: “I dashur lab, do të vish këtu si delegat i filozofisë nga universiteti i Buones Aires, kishën e Shëngjergjit e ke si shtëpinë tënde dhe të pres përzemërsisht”. Presidenti i SHBA Regan i dorëzoi dekoratën “Profesor i merituar i Amerikës”. Vetëm vitet e fundit, edhe Shqipëria demokratike e dekretoi me urdhrin e lartë “Nderi i Kombit”, ndërsa Instituti i Studimeve Historike që unë drejtoj, ka përgatitur botimin e veprës së plotë të Isuf Luzajt në 10 vëllime. I mërguar nga atdheu, Isuf Luzaj e ruajti në shpirt dhe në vepra dashurinë e përpjekjen për mëmëdheun dhe i ktheu sytë i malluar edhe në çastet e fundit para 25 vjetësh: