Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila po thirret çdo 48 orë në përpjekje për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, po dështon vazhdimisht, duke e thelluar edhe më tej ngërçin institucional dhe krizën politike në vend.
Pavarësisht se kjo praktikë buron nga rregullorja e Kuvendit dhe ka për qëllim të ushtrojë presion mbi partitë politike për të arritur një marrëveshje, realiteti po tregon se takimet e njëpasnjëshme kanë humbur efektin dhe po perceptohen gjithnjë e më shumë si formalitete pa përmbajtje.
Përballë kësaj situate, po shtohen zërat për pezullimin e përkohshëm të seancave, deri në një moment kur të ketë një vendim konkret, marrëveshje të qartë apo një lëvizje serioze që do të çojë drejt zgjidhjes së bllokadës për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
Tashmë ka edhe deputetë që kanë njoftuar se nuk do të marrin më pjesë në seanca të tilla. Është deputeti i PDK-së, Nait Hasani, i cili ka paralajmëruar se nuk do të marrë më pjesë në seanca për sa kohë nuk ka një zhvillim të qartë drejt tejkalimit të krizës.
Statovci: Seancat po nxjerrin në pah mungesën e vullnetit të opozitës për funksionimin e Kuvendit
Deputetja e Grupit LVV-Guxo, Jeta Statovci ka folur ndaj dështimeve të njëpasnjëshme të seancave të Kuvendit për zgjedhjen e Kryetarit, duke theksuar se situata aktuale nuk është e dëshirueshme, por po e bën të qartë problemin thelbësor të bllokadës politike.
“Nuk është një situatë e dëshirueshme, por seancat në përsëritje po e nxjerrin në pah me shumë qartësi problemin thelbësor: mungesën e vullnetit nga opozita për të lejuar funksionimin e institucioneve, përkundër pjesëmarrjes sonë të rregullt dhe gatishmërisë për të votuar”, tha Statovci.
Ajo nënvizoi rëndësinë e mbajtjes së seancave, duke e cilësuar Kuvendin si një mekanizëm që duhet të mbetet aktiv dhe funksional.
“Kuvendi duhet të mbetet aktiv, sepse çdo seancë e mbajtur është një thirrje për përgjegjësi – veçanërisht për ata që këtë qasje e kanë kthyer në një strategji destruktive politike”, shtoi ajo.
Statovci rikujtoi se shumica ka ofruar bashkëpunim dhe kandidaturë, por të dyja janë refuzuar nga opozita.
“Siç e kam theksuar edhe më herët: kemi ofruar bashkëpunim, është refuzuar; kemi ofruar kandidaturë, është refuzuar”, theksoi ajo.
Në përmbyllje, deputetja e LVV-Guxo potencoi se prania e tyre në seanca është domosdoshmëri kushtetuese dhe rregullore.
Deputetja e PDK-së: Seancat të pezullohen përkohësisht deri kur të ketë vullnet serioz për zgjedhjen e kryeparlamentarit
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kosovare Murseli, ka folur pas dështimeve të njëpasnjëshme të seancave të Kuvendit për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit, duke e cilësuar situatën si një degradim të funksionimit parlamentar dhe mungesë të përgjegjësisë institucionale.
Murseli tha se seancat po kthehen në formalitet të zbrazët, kërkohet pezullimi i tyre deri në zhbllokim real
“Fatkeqësisht seancat e Kuvendit që po thirren çdo 48 orë kanë humbur kuptimin dhe seriozitetin që kërkon një institucion i tillë. Ato janë kthyer në një formalitet të zbrazët, pa përmbajtje dhe pa vullnet real për zgjidhje”, tha ajo.
Ajo kritikoi qasjen politike që, sipas saj, po bllokon funksionimin e institucioneve për shkak të inateve politike.
“Si deputete e këtij Kuvendi dhe përfaqësuese e qytetarëve, nuk mund të pajtohem me këtë lojë të papërgjegjshme politike, që nuk i shërben as qytetarëve, as rendit kushtetues, as interesit kombëtar”, theksoi Murseli.
Deputetja e PDK-së vlerësoi se situata aktuale nuk është vetëm e papranueshme politikisht, por edhe në kundërshtim me përgjegjësitë ligjore e kushtetuese që kanë deputetët dhe Kuvendi si institucion.
“Është krejtësisht e pajustifikueshme që për inate politike po bllokohet funksionimi i institucioneve. Ne kemi përgjegjësi të qarta ligjore dhe kushtetuese, dhe kjo situatë po i shkel të dyja”, deklaroi ajo.
Murseli ka propozuar pezullimin e përkohshëm të seancave, deri në një moment kur të ekzistojë vullnet serioz për ta zgjidhur situatën.
“Në këtë kontekst, mendoj se është e arsyeshme dhe e nevojshme që këto seanca të pezullohen përkohësisht, deri në një moment kur të ketë vullnet serioz për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe zhbllokimin e punës institucionale”, u shpreh ajo.
Murseli theksoi se qytetarët meritojnë institucione funksionale dhe përfaqësim me integritet.
“Qytetarët meritojnë stabilitet, seriozitet dhe përfaqësim dinjitoz, jo kriza të fabrikuara dhe bllokada të pafundme”, përfundoi ajo.
Zogaj: Seancat çdo 48 orë nuk po i bëjnë presion partisë më të madhe, zgjidhja është Qeveria e Unitetit e propozuar nga LDK-ja
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, ka komentuar dështimet e njëpasnjëshme të seancave të Kuvendit për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit, duke theksuar se procesi aktual po dështon të përmbushë qëllimin e tij dhe se zgjidhja reale mbetet krijimi i një Qeverie të Unitetit.
Zogaj tha se ndonëse mbajtja e seancave çdo 48 orë është në përputhje me rregulloren e Kuvendit, kjo gjë nuk po prodhon rezultat.
“Ne duhet me zbatu rregulloren, ajo e kërkon që seancat me u mbajtë çdo 48 orë dhe ka një logjikë prapa kësaj, sepse kjo do të duhej të i bënte presion partisë më të madhe për me e gjetë një zgjidhje nga ky ngërç politik”, u shpreh Zogaj.
Megjithatë, sipas tij, kjo praktikë nuk po e ndihmon në kapërcimin e krizës, pasi nuk ka reflektim nga LVV.
“Por me sa po e shohim, ky 48 orësh nuk po i bën presion partisë më të madhe,” tha ai.
Zogaj deklaroi se oferta e LDK-së për krijimin e një Qeverie të Unitetit mbetet alternativa më e arsyeshme për të dalë nga kriza.
“Ajo çka po duam ne është që zgjidhja të bëhet sa më shpejt që është e mundur dhe po shihet qartazi se alternativa e vetme për të dalur nga kjo krizë është alternativa e LDK-së për Qeveri të Unitetit”, përfundoi ai.
Emilja Rexhepi: Nëse nuk ka kompromis apo numra, të shkojmë në zgjedhje sa më shpejt të jetë e mundur
Deputetja boshnjake Emilja Rexhepi ka komentuar ngërçin politik dhe bllokadën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se situata aktuale reflekton mungesë të përgjegjshmërisë dhe seriozitetit nga disa deputetë dhe parti politike.
Rexhepi tha se po presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se janë njohur me propozimin e AAK-së për votim të fshehtë në zgjedhjen e Kryetarit të Parlamentit. Ajo nënvizoi se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mundësuar që çështja t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për zgjidhje.
“Po presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe e kemi parë propozimin e AAK-së për votim të fshehtë. Folëm gjithashtu se si Presidentja e Shtetit, Vjosa Osmani, na dha mundësinë t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, dhe në mes të ditës, zgjedhjet lokale janë caktuar për 12 tetor, prandaj përqendrohuni tek ato”, deklaroi ajo.
Deputetja Rexhepi shtoi se përplasjet dhe nomimin e vazhdueshëm të kandidatëve për Kryetar të Parlamentit pa arritur një kompromis janë shenja e mungesës së seriozitetit.
“Nëse vazhdojnë të jenë kokëfortë kështu dhe të gjithë nominojnë çdo kandidat për Kryetar të Parlamentit, po tregojnë mungesë të madhe serioziteti ndaj shtetit dhe Parlamentit si institucion parësor”, ka thënë ajo.
Ajo gjithashtu përkujtoi se Parlamenti nuk është pronë e askujt, por një institucion përgjegjës para qytetarëve.
“Ne si qeveri punojmë çdo ditë, por duhet të mbizotërojë arsyeja e shëndoshë e deputetëve që kanë fituar besimin e qytetarëve. Parlamenti nuk është institucion privat as i një individi dhe as i një partie politike, të gjithë jemi përgjegjës për këtë situatë”, ka shtuar Rexhepi.
Në përfundim, deputetja u bëri thirrje deputetëve që të votojnë për Kryetarin dhe Zëvendëskryetarët e Parlamentit dhe të lejojnë formimin e qeverisë me shumicë të sigurt.
“Le të votojmë për Kryetarin dhe Zëvendëskryetarët e Parlamentit dhe t’i hapim hapësirë atij që ka 61 vota për të formuar qeverinë. Nëse nuk ka kompromis apo numra, do të shkojmë në zgjedhje sa më shpejt të jetë e mundur”, ka përfunduar Rexhepi.
Asllani: Pa konsensus dhe vendim nga Kushtetuesja, seancat duhet të mbahen çdo 48 orë
Deputeti i komuniteteve jo-shumicë, Artan Asllani, ka komentuar bllokimin e vazhdueshëm të procesit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, duke theksuar se, pavarësisht përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje, mungesa e konsensusit ka penguar çdo iniciativë për ndryshim të dinamikës së seancave.
“Ka qenë një propozim prej Kryesuesit Deharit që me u mbajtë një seancë brenda javës dhe një pjesë e madhe nuk kanë arritë një konsensus për me mbajtë seancën brenda një jave”, ka thënë ai.
Për pasojë, ai tha se Kuvendi është i detyruar të respektojë rregulloren në fuqi.
“Ligjërisht duhet me u mbajtë brenda 48 orë dhe nuk guxojmë me e shkelë ligjin derisa nuk ka konsensus apo vendim prej Gjykatës Kushtetuese”. ka deklaruar Asllani.
Matoshi: Kurti synon dominim, jo bashkëpunim – zgjidhja kërkon marrëveshje politike
Analisti politik Halil Matoshi ka folur ndaj dështimeve të njëpasnjëshme të seancave të Kuvendit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, duke theksuar se megjithëse po respektohet rruga ligjore sipas rendit kushtetues, zgjidhja e krizës kërkon kompromis politik dhe vullnet për bashkëpunim.
“Kjo është e vetmja rrugë legale, sipas rendit kushtetues”, deklaroi Matoshi, duke iu referuar mbajtjes së seancave çdo 48 orë.
Ai tha se respektimi i procedurës nuk mjafton për të ndërtuar një shumicë funksionale në Kuvend.
“Për një shumicë parlamentare legjitime duhet marrëveshje politike, pra kompromis”, ka deklaruar ai.
Duke kritikuar qasjen e kryeministrit në detyrë, Matoshi u shpreh se Kurti do nënshtrim dhe jo bashkëpunim.
“Albin Kurti mësynë dominimin e klasës politike, pra nënshtrimin e saj, jo bashkëpunimin’’, ka përfunduar ai./Front Online