Një pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, J.A., nga fshati Strellcë i komunës së Kamenicës, i cili u arrestua sot në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë, është deportuar në Vranjë me ndalim hyrjeje në Kosovë për një periudhë prej pesë vjetësh, ka konfirmuar avokati i tij, Millosh Nikolliq.
Zyra e Petkoviqit e ngarkuar për propagandë kundër Kosovës, ka njoftuar se J.A. është ndaluar në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë, dhe më pas është dërguar në një qendër deportimi në Prishtinë.
Sipas njoftimit të kësaj zyre, bëhet fjalë për “një familjar, i cili është i punësuar në Drejtorinë Policore në Vranjë dhe prej vitesh udhëton pa pengesa ndërmjet Kamenicës dhe Vranjës”, pasi ushtron detyrën e tij në Serbi.
Ata këtë propagandë vazhduan duke pretenduar se ky është “rasti i pestë i ndjekjes politike ndaj serbëve gjatë ditëve të fundit, të cilët janë viktima të veprimeve politikisht të motivuara të regjimit në Prishtinë, që shkel edhe rregullat e veta kur bëhet fjalë për të dëmtuar serbët”.