Qendrim Imeraj, toger në Forcën e Sigurisë së Kosovës ka përfunduar me sukses Kursin Bazë për Oficerët e Këmbësorisë në Shkollën e Këmbësorisë “Manoeuvre Center of Excellence” në Fort Benning, në Shtetet e Bashkuara.
Ai është dekoruar edhe me çmimin “Distinguished Honor Graduate” – çmim ky i cili ndahet për studentët që arrin rezultate të larta në të gjithë komponentët e kursit.
“Ky sukses përfaqëson jo vetëm përkushtimin personal të Toger Imeraj, por edhe profesionalizmin dhe cilësinë e lartë të oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës të cilët po arrin suksese në nivel ndërkombëtar”, tha Forca e Sigurisë së Kosovës, përmes një njoftimi në Facebook.
Ky kurs është një nga programet themelore të trajnimit për oficerët e këmbësorisë, i cili përfshin përgatitje të avancuar në fushat si: taktikat e operacioneve tokësore në nivel togu dhe kompanie; lidership ushtarak dhe vendimmarrje në kushte stresuese; trajnim fizik intensiv; menaxhimi i burimeve dhe logjistikës në fushë; teknikat e komunikimit dhe komandimit në operacione të përbashkëta dhe ndërkombëtare.