Pas më shumë se dy orë pas lajmit se Lulzim Halilit i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga gjykata në Beograd, ka reaguar ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës
Me një postim, MPJ-ja e ka konfirmuar atë që ishte raportuar.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës konfirmon se Gjykata e Lartë e Beogradit, përkatësisht Departamenti për Krime të Luftës, më 24 korrik 2025, i ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh shtetasit të Republikës së Kosovës, z. Lulzim Halili, i arrestuar nga autoritetet serbe më 22 korrik 2025”, thuhej në reagim.
“Sipas njoftimit të Prokurorisë së Lartë për Krime të Luftës në Beograd, z. Halili ngarkohet me akuza për “organizimin dhe nxitjen e kryerjes së krimeve të luftës dhe gjenocidit”, të përcaktuara në Nenin 145, paragrafi 2, në lidhje me Nenin 1 të Kodit Penal të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë”, thuhej më tej nga MPJ-ja.
Sipas MPJ, duke qenë se tashmë është konfirmuar se ndaj Halilit është iniciuar procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të paraqesë menjëherë kërkesë zyrtare pranë Gjykatës së Lartë të Beogradit, Departamenti për Krime të Luftës, për ta vizituar atë në Qendrën e Paraburgimit të kësaj gjykate, ku po mbahet aktualisht.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të vazhdojë të ndjekë nga afër rastin dhe do të mbajë të informuar opinionin publik për çdo zhvillim të mëtejshëm”, thuhej në reagim.