I dyshuari për rastin është Mefail Shkodra, i cili tashmë është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës. Policia në komunikatën e fundit ka kërkuar ndihmë nga qytetarët nëse kanë informacione për vendndodhjen e të dyshuarit.
Por, kush është Mefail Shkodra?
Në fundit të muajit qershor të vitit 2024, pas një aksioni të Policisë së Kosovës në Gjilan, Mefail Shkodra bashkë me djalin e tij Edonis Shkodra ishin arrestuar nën dyshimin e veprave penale të “Fajdës dhe Detyrimit”.
Të dy, bashkë me një person tjetër, i njohur Albert Malisheva dyshohej se kishin ushtruar presion dhe kërcënime ndaj një viktime me qëllim përfitimin financiar nga veprimet e tyre të paligjshme, duke shkaktuar dëme materiale në vlerë prej mbi 600,000 euro për viktimën.
Pas arrestimit, Mefail Shkodra dhe djali i tij, Edonis Shkodra u ndaluan me urdhër të Prokurorit për 48 orë.
“Gjatë operacionit policor në cilësi të provave materiale janë sekuestruar tri vetura, motorë sportiv, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve”, kishte njoftuar Policia e Kosovës pas aksionit.
Në rrjete sociale nuk mungonte ekspozimi i jetës lukszove që Mefail Shkodra bënte. Makinat e shtrenjta, orët e kushtueshme, veshjet e markave të njohura dhe aksesorët prej ari janë të ekspozuara në postimet e tyre.
Të dyshuarit Mefail dhe Edonis Shkodra, veçanërisht, janë të njohur për pasionin e tyre për vetura që kushtojnë qindra mijëra euro.
Gjithashtu, në rrjete sociale Mefail Shkodra ka edhe fotografi, ku shihet nën shoqërinë e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe bashkëshortit të saj, Prindonit, si dhe Kryeministrit tani në detyrë, Albin Kurtit.
