Edhe në Komunën e Lipjanit vepron kompania rajonale “Pastrimi” për zbrazjen e kontejnerëve. Kjo kompani, me marrëveshje të veçantë, bën edhe grumbullimin e mbeturinave inerte, por autoritetet komunale e kanë parë të arsyeshme të angazhojnë kompani private për këtë punë.
“Mbledhja, grumbullimi dhe bartja e mbeturinave të amvisërisë dhe mbeturinave inerte – 2 llote”. Kështu quhet tenderi i Komunës së Lipjanit, e cila drejtohet nga Imri Ahmeti. Për këtë kontratë është rekomanduar kompania DARDANIAA SH.P.K., e cila është shpërblyer vetëm për lotin 2, me një çmim prej 179.50 euro për njësi. Për lotin 1 është konsideruar se kompania nuk i përmbush kriteret dhe kjo pjesë ka deshtuar. Kontrata është njëvjeçare.
Përshkrimi i shkurtër i lëndës së kontratës është: “Mbledhja, grumbullimi dhe bartja e mbeturinave të amvisërisë, bizneseve, mbledhja e mbeturinave nga institucionet në Komunën e Lipjanit, si dhe mbledhja dhe sistemimi i mbeturinave inerte në territorin lindor të Komunës së Lipjanit – Loti 1.
Mbledhja, grumbullimi dhe bartja e mbeturinave të amvisërisë, bizneseve, mbledhja e mbeturinave nga institucionet në Komunën e Lipjanit, si dhe mbledhja dhe sistemimi i mbeturinave inerte në territorin perëndimor të Komunës së Lipjanit – Loti 2”.
Kompania DARDANIAA është e kontraktuar edhe në Komunën e Prishtinës, e cila drejtohet nga Përparim Rama i LDK-së.
Është me rëndësi të theksohet se Behram Gashi, pronar i “Dardaniaa SH.P.K.”, për vite me radhë ka qenë menaxher i mirëmbajtjes dhe autotransportit në kompaninë rajonale “Pastrimi”, por është përjashtuar nga puna në vitin 2023. Aktualisht, ai po përballet me një proces gjyqësor ndaj kësaj ndërmarrjeje. Gashi, i njohur për afërsinë e tij me LDK-në, ka fituar disa tenderë në Komunën e Prishtinës.