Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria vazhdojnë aktivitetet e shuarjes së zjarreve që kanë përfshirë zonat pyjore të këtij rajoni të përfshirë nga temperaturat e larta.
Ekipet zjarrfikëse dhe njësitë emergjente nga të tre vendet e rajonit po punojnë intensivisht për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të tyre. Gjatë dy ditëve të fundit, Kosova ka luftuar me 57 vatra zjarri, Maqedonia e Veriut me 27 dhe Shqipëria me 34 vatra zjarri.
Zjarrfikësit në Kosovë vazhdojnë të luftojnë zjarret, respektivisht nga 57 vatra zjarri në vend duke lokalizuar 46 prej tyre, ndërsa 11 vatra vazhdojnë të jenë aktive.
Agjencia për Menaxhimin Emergjent në Kosovë ka njoftuar se menaxhimi i situatës po bëhet në koordinim të plotë me Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, si dhe u ka bërë apel të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër në institucionet kompetente.
Drejtori i agjencisë, Genc Metaj, në një konferencë për media këtë javë tha se vetëm në ditët e fundit janë raportuar gjithsej 633 zjarre në gjithë territorin e Kosovës. Krahasuar me muajin gusht të vitit 2024, Metaj shtoi se këtë vit janë shënuar rritje të numrit të rasteve të zjarreve.
Autoritetet e Maqedonisë, nga ana tjetër, njoftuan se gjatë deri në mesditën e sotme, në mbarë territorin e vendit janë regjistruar dhjetë zjarre në hapësirë hapur, prej të cilëve gjashtë zjarre janë aktive, një nën kontroll dhe tre të tjera janë shuar.
Zjarret aktive janë në Lojane dhe Tabanoc, ku është përfshirë një vegjetacion i ulët dhe pyll i përzier, si dhe në Komunën e Brodit, në zonën Jasen, ku zjarri që ka përfshirë një pyll i përzier është aktiv që nga dita e djeshme. Po ashtu zjarre aktive ka në fshatin Bekirlija në Dollnen, fshatin Romanovcë në Kumanovë dhe në fshatin Sllupçan në Likovë.
Ndërkohë, nën kontroll është zjarri në Komunën Jegunovcë midis fshatrave Rogaçevë, Jazhincë dhe Orashë e Poshtme, ku janë përfshirë kullota dhe pyll i përzier.
Gjatë 24 orëve të fundit gjithashtu edhe në Shqipëri janë regjistruar 34 vatra zjarri. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes 27 janë shuar, pesë janë aktive dhe dy po mbahen në monitorim.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 54 automjete zjarrfikëse dhe 690 forca operacionale, të mbështetura nga 110 trupa të Forcave të Armatosura me dy mjete zjarrfikëse. Gjithashtu u angazhuan dy helikopterë të Forcës Ajrore shqiptare dhe një helikopter nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, si shumë vende të tjera të Evropës Jugore, janë përballur me zjarre pyjore të shkaktuara nga temperaturat e larta dhe thatësira e zgjatur.
Autoritetet e vendeve theksojnë se rritja e gatishmërisë dhe ndërhyrja e shpejtë mbeten kyçe për parandalimin e pasojave më të rënda, si dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të mundshme zjarri.