Ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku ka ngritur shqetësime serioze rreth mënyrës se si është realizuar procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë, duke e cilësuar atë si një vendim të nxituar dhe të politizuar, që ka dëmtuar sigurinë energjetike dhe sektorin privat.
Në një reagim në Facebook, Çeku vlerëson se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë është një zhvillim që shumica e vendeve evropiane e kanë ndërmarrë gjatë tri dekadave të fundit, por që në rastin e Kosovës është zbatuar në mënyrë të gabuar dhe pa një strategji të qartë.
“Kosova, në vend që të mësonte nga këto përvoja, ndërmori hapin e liberalizimit për kompanitë e mëdha pa siguruar më parë kapacitete të reja prodhuese”, shkruan Çeku, duke shtuar se kjo ka detyruar sektorin privat të lidhet me furnizues të jashtëm, duke rritur varësinë nga importi dhe ekspozuar bizneset ndaj luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare.
Për më tepër, Çeku kritikon mungesën e një politike afatgjate në këtë sektor.
“Ajo që e veçon Kosovën nga shumica e vendeve të tjera është politizimi ekstrem i sektorit energjetik. Në Gjermani, Britani apo Poloni, energjia është trajtuar si politikë kombëtare afatgjatë, e lidhur ngushtë me sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik. Në Kosovë, përkundrazi, energjia është shndërruar në një instrument politik të qeverive të radhës. Vendimmarrjet nuk janë mbështetur gjithmonë mbi analiza ekonomike dhe strategjike, por shpesh mbi llogaritje të ngushta partiake”, ka shkruar ish-ministri.
Sipas tij, kjo qasje ka pasur pasoja të rënda.
“Shumica e qeverive të Kosovës, në vend që ta shohin energjinë si themelin e zhvillimit ekonomik dhe të pavarësisë kombëtare, ia kanë ‘vrarë shpirtin zhvillues’ vendit duke e kthyer atë në një fushë përplasjesh politike”, u shpreh Çeku.
Ai përmend bllokimin e projekteve madhore si “Kosova C” dhe e sheh liberalizimin si një hap që nuk ka qenë drejt zhvillimit, por hap drejt dobësimit të mëtejshëm ekonomik dhe rritjes së pasigurisë energjetike.
“Vetëm përmes një strategjie që kombinon ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese, zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme dhe, mbi të gjitha, depolitizimin e sektorit, Kosova mund ta shndërrojë energjinë nga fushë krize në motor të zhvillimit të qëndrueshëm”, ka shkruar Çeku.