Qeveria shqiptare ka prezantuar një projektligj ambicioz që synon reformimin thelbësor të administratës publike, duke e bërë atë më efikase, llogaridhënëse dhe në linjë me standardet evropiane. Projektligji, i propozuar nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, vjen në një moment kyç për Shqipërinë, ndërsa procesi i negociatave me Bashkimin Evropian po ecën përpara.
“I bazuar në parimin e qeverisjes së mirë, i sanksionuar në nenin 41 të Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së dhe kriteret e Kopenhagës, ky projektligj me 27 nene prek një sërë aspektesh thelbësore të organizimit dhe funksionimit të administratës publike.”, thuhet në relacionin që shoqëron projektligjin.
Një nga pikat kryesore të projektligjit është qartësimi i fushës së veprimit të ligjit, duke përfshirë shprehimisht institucionet e arsimit të lartë publik, përfaqësitë diplomatike dhe Forcat e Armatosura, si pjesë të administratës shtetërore, shkruan rtsh.al.
Kjo lëvizje synon të shuajë dilemat ligjore dhe të sigurojë që i gjithë legjislacioni të zbatohet në mënyrë të njëtrajtshme.
Ndryshime të rëndësishme parashikohen edhe për agjencitë autonome.
Projektligji propozon krijimin e një kategorie të dytë të trupave joministore, të dedikuara ekskluzivisht për autoritetet rregullatore të tregjeve.
Këtyre agjencive u jepet autonomi e plotë funksionale, duke ndaluar ndërhyrjen e ekzekutivit në vendimmarrjet e tyre rregullatore. Ky rregullim synon të sigurojë pavarësi të vërtetë, një kërkesë thelbësore për funksionimin e mirë të tregjeve dhe respektimin e ligjit.
Rritja e efikasitetit dhe llogaridhënies
Projektligji adreson gjithashtu çështjen e efikasitetit dhe llogaridhënies brenda institucioneve. Ai synon të transformojë vendimmarrjen drejt nivelit të drejtorive, duke u dhënë drejtorëve përgjegjësinë për vendimet konkrete dhe duke bërë që punonjësit e niveleve më të larta të fokusohen në koordinim dhe kontroll. Kjo do të ndihmojë në rritjen e cilësisë së vendimmarrjes dhe përgjegjësisë individuale.
Propozimet e ndryshimeve në ligj synojnë të qartësojë edhe rolin e sekretarit të përgjithshëm, duke propozuar veçanërisht fokusimin e tij në koordinimin e hartimit të politikave dhe organizimin e menaxhimit dhe kontrollit financiar të ministrisë, në linjë me legjislacionin horizontal përkatës.
Sipas projektligjit, një risi tjetër është futja e një sistemi të ri mbikëqyrjeje dhe llogaridhënieje me tre kolona.
Institucionet do të hartojnë një Plan Vjetor Performance të dakordësuar me ministrinë përkatëse, duke përcaktuar objektiva dhe tregues të matshëm. Në fund të vitit, ato do të bëjnë një vetëvlerësim dhe do të paraqesin një raport performance, mbi bazën e të cilit do të vlerësohen.
Ky sistem synon të sigurojë një mbikëqyrje të përhershme dhe të bazuar në performancë, duke e bërë llogaridhënien një proces konkret dhe transparent.
Drejtoritë me status të veçantë dhe rregullimi i kabineteve
Për të reduktuar tendencën e krijimit të institucioneve të reja në varësi, projektligji propozon krijimin e drejtorive me “status të veçantë” brenda ministrive, të cilat do të gëzojnë një autonomi të zgjeruar. Kjo alternativë ofron më shumë fleksibilitet dhe mund të parandalojë copëtimin e panevojshëm të strukturave ekzekutive.
Një ndryshim tjetër i rëndësishëm është ai që lidhet me statusin e zyrtarit të kabinetit, duke e rregulluar atë si një zyrtar “besimi” që emërohet dhe shkarkohet lirisht nga ministri.
Ky rregullim sjell legjislacionin shqiptar në linjë me praktikën e vendeve të BE-së, duke qartësuar rolin dhe përgjegjësitë e kësaj figure.
Ndryshimet e propozuara kanë si qëllim të modernizojnë administratën publike shqiptare, duke e bërë atë më të strukturuar, efektive dhe të përgatitur për sfidat e anëtarësimit në BE.