Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar të enjten ankesë në Gjykatën Kushtetuese, për të kundërshtuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, që detyron mbi 1 mijë e 300 biznese të kalojnë në treg të lirë të energjisë.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se kërkuan anulimin e vendimit të ZRRE-së, pasi dëmton bizneset.
“Kërkuam masë sigurie”, ka thënë ai.
Tahiri ka thënë se ankesës i kanë bashkangjitur vendimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit, të cilat refuzuan padinë e PDK-së kundër njoftimit të ZRRE-së.
Vendimi për liberalizimin e tregut ka hyrë në fuqi më 1 qershor 2025, sipas të cilit të gjitha kompanitë me më shumë se 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro në vit, janë të obliguara të kalojnë në tregun e hapur. Për të mos mbetur pa energji gjatë një periudhe tranzitore, mbi dy muaj bizneset u furnizuan përkohësisht nga KEK-u si Furnizues i Mundësisë së Fundit. Por, nga 16 gushti ka nisur shkyçja e tyre.
Rreth 8 për qind e bizneseve që kanë dalë në treg të hapur të energjisë, sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), nuk kanë nënshkruar ende kontrata për furnizim dhe që nga e shtuna janë pa energji.