Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i është drejtuar Apelit të Gjykatës Speciale të cilit po i kërkon rrëzimin e aktakuzës në rastin ku akuzohet për ndërhyrje në drejtësi.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dorëzuar një kërkesë të re në Gjykatën Speciale, përmes së cilës po synon të hedhë poshtë aktakuzën që e ngarkon atë me pengim të drejtësisë.
Apeli i paraqitur, më 18 gusht 2025 në Hagë, kundërshton “Vendimin mbi juridiksionin” të marrë më 19 qershor të po këtij viti. Sipas mbrojtjes, Gjykata ka vepruar përtej kompetencave të saj duke lejuar ngritjen e një çështjeje të re, të njohur si “Rasti 12”, paralelisht me procesin tashmë ekzistues ndaj Thaçit dhe ish-bashkëluftëtarëve të tij në “Rastin 06”.
Argumentet kryesore të ekipit të Thaçit janë se çështje të njëjta faktike po trajtohen në dy procese të ndryshme, duke rrezikuar që të ketë vendime kontradiktore dhe të cenohet prezumimi i pafajësisë së Thaçit.
Tutje, mbrojtja argumenton se gjyqtarja e caktuar paraprakisht ka ushtruar dy funksione të ndryshme brenda të njëjtit rast, konkretisht, si gjyqtare e fazës hetimore dhe si gjyqtare paraprake, gjë që sipas avokates ligji e ndalon qartë.
Gjithashtu, refuzimi i gjyqtares për të shqyrtuar vlefshmërinë e vetë-emërimit të saj, sipas mbrojtjes bie ndesh me të drejtën themelore të të akuzuarit në këtë rast.
Bazuar në këto argumente, avokatja Sophie Menegon që e mbron Thaçin ka kërkuar nga një Kolegj i Apelit “që të shpallë se gjyqtari i procedurës paraprake nuk ka qenë kompetent për të ngritur aktakuzën në rastin 12 si dhe në bazë të kësaj, mbrojtja kërkon që aktakuza të hidhet në tërësi poshtë”.
Ndaj Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale rëndojnë 21 akuza në total të shpërndara në dy raste, 10 për krime lufte dhe 11 kundër administrimit të drejtësisë.