Java e parë e Kategorisë Superiore solli menjëherë një statistikë që ndez diskutime. 58 lojtarë të huaj janë aktivizuar vetëm në katër ndeshje. Shifër rekord, që nuk kalon pa u vënë re.
Në krye të listës është Bylisi, i cili hodhi në fushë plot 11 të huaj, duke u kthyer në skuadrën më “internacionale” të javës. Pas tij vijnë Tirana dhe Flamurtari me nga 10 lojtarë të huaj secila, Elbasani me 8, ndërsa Egnatia regjistroi 7. Në anën tjetër të tabelës ndodhen Vora me vetëm 4, Partizani me 5 dhe, mbi të gjitha, Vllaznia, e cila me 3 të huaj të aktivizuar u shfaq si skuadra më “shqiptare” e këtij starti kampionati. Këto shifra, më shumë sesa një kuriozitet statistikor, janë pasqyrë e qartë e një fenomeni që po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha, dominimi i lojtarëve të huaj në futbollin shqiptar.
DILEMA E MADHE Argumenti i parë që përdoret gjithmonë është ai i cilësisë. “Të huajt e rrisin nivelin e kampionatit, e bëjnë më konkurrues dhe u japin klubeve mundësinë të përballen më mirë në Europë”, thonë drejtuesit. Dhe kjo ka logjikë, por vetëm nëse bëhet fjalë për rekrutime cilësore dhe jo për import masiv lojtarësh mesatarë, të cilët mbushin numrin por jo diferencën. Problemi i madh që del në pah është humbja e minutave për lojtarët vendas, sidomos për të rinjtë. Çdo i huaj i aktivizuar, në fakt, zë hapësirën që mund të shfrytëzohej nga një 18-20 vjeçar shqiptar për të fituar eksperiencë. Pa minuta, pa rritje. Pa rritje, pa treg. Dhe pa treg, futbolli shqiptar mbetet i varur gjithnjë e më shumë nga importi. Në këtë mënyrë krijohet një cikël i shpejtë qarkullimi. Të huajt vijnë, qëndrojnë një sezon dhe largohen, ndërsa klubet mbeten çdo verë në pikën zero, pa një bërthamë të qëndrueshme vendase dhe pa lojtarë të rritur në shtëpi.
11 TË HUAJ TITULLARË Debati bëhet edhe më i nxehtë po të kujtojmë se nga sezoni 2025-2026, FSHF ka miratuar rregullin e ri që u jep klubeve të drejtën të aktivizojnë deri në 11 lojtarë të huaj si titullarë. Pra, një formacion i tërë pa asnjë shqiptar mund të zbresë në fushë. Çfarë do të thotë kjo në praktikë? Një skenar ku minutat për lojtarët shqiptarë do të bien ndjeshëm, duke rrezikuar që kampionati të shndërrohet në një arenë tranziti, ku futbollistët e huaj vijnë dhe ikin, ndërsa lojtarët vendas mbeten në hije. Nëse sot kemi 58 të huaj në një javë, vitin tjetër kjo shifër mund të rritet edhe më tej, duke e zhveshur Superioren nga identiteti i saj.
SHEMBULLI I VLLAZNISË Në këtë panoramë, Vllaznia duket si “përjashtim i artë”. Me vetëm tre të huaj të aktivizuar, shkodranët treguan se është e mundur të ruash një bosht vendas dhe njëkohësisht të jesh konkurrues. Ky është një sinjal i fortë se ekuilibri mes lojtarëve shqiptarë dhe atyre të huaj nuk është i pamundur. Një model i tillë, ku të huajt përzgjidhen me kujdes për të bërë diferencën, ndërsa të rinjve shqiptarë u jepet hapësirë reale për t’u rritur, mund të jetë rruga më e shëndetshme për të ardhmen.