Aktivitetet do të zhvillohen përgjatë javës 10–14 nëntor 2025, ndërsa konferenca kryesore do të mbahet më 13 nëntor, në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Tirana përzgjidhet si vendi mikpritës për Konferencën Vjetore Globale të Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve 2025Mimoza Kaçi, drejtoresha e AMF
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të mirëpresë në Tiranë Konferencën Vjetore të Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS), ngjarjen më prestigjioze në nivel global në fushën e mbikëqyrjes së sigurimeve.
Aktivitetet do të zhvillohen përgjatë javës 10–14 nëntor 2025, ndërsa konferenca kryesore do të mbahet më 13 nëntor, në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Pritet pjesëmarrja e rreth 500 përfaqësuesve të nivelit të lartë nga autoritetet rregullatore të sigurimeve, nga industria ndërkombëtare e sigurimeve, si dhe nga institucione financiare ndërkombëtare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, OECD, Bashkimi Evropian dhe EIOPA (Autoriteti Evropian i Sigurimeve dhe Pensioneve).
Gjatë tre ditëve të para të javës do të zhvillohen mbledhjet e komiteteve teknike të IAIS, me pjesëmarrjen e rreth 230 drejtuesve të autoriteteve rregullatore nga mbi 150 vende.
Në kuadër të aktivitetit janë planifikuar edhe takime bilaterale ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse, si dhe takime të veçanta ndërmjet drejtuesve të kompanive ndërkombëtare të sigurimeve, me qëllim krijimin e hapësirave për bashkëpunim dhe dialog strategjik në nivel drejtues të industrisë.
Një nga momentet kryesore të javës do të jetë Forumi i EIOPA-s, me temë: “Advancing Insurance Reforms on the Path to European Integration”, i cili do të fokusohet në sfidat dhe mundësitë që sjell procesi i integrimit evropian për vendet kandidate, në përputhje me objektivat strategjikë të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, Mimoza Kaçi, thotë se “mikpritja e Konferencës Vjetore të IAIS 2025 është një nder për mua dhe për Autoritetin. Kjo ngjarje nuk është vetëm një moment historik, por edhe një mundësi për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe për prezantimin e Shqipërisë si partner në fushën e mbikëqyrjes së tregjeve të sigurimeve.”
Pas Tokios në vitin 2023 dhe Cape Town në vitin 2024, përzgjedhja e Shqipërisë si vend mikpritës për edicionin e vitit 2025 është një vlerësim i rëndësishëm për vendin dhe për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare si institucionin pritës.