Nisi me shumë entuziazëm dhe gol, por sfida e Portugalisë kundër Kongos është mbyllu me zhgënjim për ‘luzitanët’. Në ndeshjen e parë të grupit të besuarit e Roberto Martinez barazuan me rezultatin 1-1 edhe pse Joao Neves zhbllokoi shifrat që në minutën e 6. Krosimi i Pedro Netos u shfrytëzua në maksimumim nga shtatshkurti, i cili ndëshkoi afrikanët me kokë.
Goli i shpejtë dha përshtypjen se sfida do të dominohej dhe mund të kthehej në goleadë nga Portugalia, por e kundërta ndodhi. Luzitanët ulën ritmin dhe Kongo nisi të kërcënonte gradualisht. Një situatë që kulmoi në fundin e pjesës së parë kur afrikanët barazuan rezultatin me Wisa-n.
Në pjesën e dytë tentativat e Portugalisë ishin me pikatore, ndërsa edhe zëvendësimet nuk sollën ndryshime. Në hije nga fillimi në fund edhe Cristiano Ronaldo që nuk arriti të linte gjurmë. Ai u bë futbollisti i dytë në historinë e futbollit pas Lionel Messi-t i cili luan në 6 Botërore të ndryshëm. Megjithatë humbi mundësinë që të bëhej lojtari i parë në historinë e këtij sporti që realizon në 6 Botërore të ndryshëm.
Për t’u theksuar që në fillim të ndeshjes u nderua Diego Jota, futbollisti i Portugalisë i cili verën e kaluar humbi jetën në një aksident automobilistik. Sfida tjetër e grupit K në Botëror do të jetë mes Uzbeksitanit debutues dhe Kolumbisë në orën 04:00 të mëngjesit.
Zhvillimet më të rëndësishme
45+6′- Befasi e madhe. Kongo shënon në ekstremin e pjesë së pare me Wissa, i cili realizon me kokë! Protesta të mëdha nga Portugalia pasi ishin dhënë 4 minuta shtesë, por arbitri thotë se nuk mund ta ndërpriste aksionin.
6’- Nuk vonon shumë goli i parë i sfidës. Joao Neves zhbllokon rezultatin duke kaluar Portugalinë në avantazh.
1’- Nis sfida në Hjuston mes Portugalisë dhe Kongos. E para për grupin K që zhvillohet në Hjuston, në stadiumin me kapacitet 72 mijë tifozë. Titullarë Cristiano Ronaldo.
Si vijnë skuadrat
Pas Lionel Messi-t sonte në fushë do të zbresë një tjetër legjendë e futbollit, Cristiano Ronaldo. Portugalia e cila sipas ekspertëve konsiderohet me më shumë shanse se çdo herë tjetër për të fituar Botërorin, do të përballet për grupin K me Republikën Demokratike të Kongos. Luzitanët shihen si super favoritë për të fituar duelin, por Botërori po tregon se jo rrallherë ka surpriza.
Dyshimet më të mëdha mbeten në repartin e sulmit, pasi pritet të shihet nëse Roberto Martinez e konsideron ende titullar 41-vjeçarin Cristiano Ronaldo. 5 herë fituesi i ‘Topit të Artë’ ka këtë Botëror mundësinë e fundit për trofeun më të lavdishëm të futbollit, ndërsa të apasionuarit pas tij presin me padurim që ai të barazojë Messi-n.
Ronaldo mund të bëhet sonte lojtari i parë në historinë e futbollit që shënon në 6 Kupa Bote, ndërsa para gazetarëve është shprehur se ‘do ti marrin ndeshjet një nga një’ dhe se ‘nuk duhet të ketë presion për të fituar Botërorin’. Sfida tjetër e grupit K është mes Uzbekistanit që merr pjesë për herë të parë në Botëror dhe Kolumbisë.