Aurelio De Laurentis, president i SSC Napolit, ka folur për mikrofonat e Radio CRC, partner i klubit, pas moskualifikimit të Italisë në Botëror. “Ndjenja ime është e qartë prej dhjetë vitesh. Mua më vjen vetëm për të qeshur, ne në Napoli kemi një shprehje shumë të bukur që e përdorte gjithmonë babai im: ‘A pazziella mmano ‘e criature’. Kemi thënë gjithmonë që luhet shumë dhe e gjithë kjo i shkatërron lojtarët tanë.
Sot vazhdohet të kërkohet të jemi 20 skuadra, por nëse do të ktheheshim në 16 skuadra, nëse do të hiqnim Superkupat që luhen në Arabinë Saudite, do të kursenim lojtarët tanë, që janë një pasuri e paguar nga ne, dhe do të kishim kohë për të stërvitur Kombëtaren. Duhet të fillojmë të reflektojmë: a është taktika me të cilën krenohet futbolli italian e dobishme për të pasur sukses ndaj kombeve të tjera? Prej vitesh them se në futbollin italian gjithçka është në gjumë dhe asgjë nuk lëviz, sepse duke mos lëvizur asgjë, të gjithë mbijetojnë disi. Unë nuk jam nga ata që më pëlqen të mbijetoj kështu.
Bota e sportit, ku përfshihet edhe shteti, ka sjellë suksese të mëdha. E kemi parë në Lojërat Olimpike dimërore dhe në ato të fundit. Malago ka qenë dikush që ka punuar shumë mirë, i pakritikueshëm nga pikëpamja profesionale. Në futboll duhet të bëhet një ‘reset’ dhe të mos kemi frikë apo turp të rinisim nga zero. Unë jam lodhur duke vënë në dispozicion lojtarët e mi. Lojtarët e mi janë në dispozicion nëse më rimburson një pjesë të konsiderueshme të investimit dhe nëse më bën një sigurim total për vlerën e tyre në rast dëmtimi për periudhën kur nuk mund të luajnë. Kjo duhet të jetë shumë e qartë, nuk mund të luajmë gjithmonë me paratë e të tjerëve”, tha në fillim ai.
PRESIDENTI I NAPOLIT MË PAS VAZHDOI: “Tani duhet të vëmë pikat mbi ‘i’, sepse momenti nuk është tragjik, me kusht që të gjithë ta kuptojnë dhe të rinisim nga zero. 16 skuadra, më pak ndeshje, më shumë kohë për të stërvitur Kombëtaren, pagesë për klubet që japin lojtarë në Kombëtare, sigurime të plota në rast dëmtimi, kjo, sipas meje, është rruga për t’u ringritur.
Ndonjëherë politika harron që ka 28 milionë tifozë, që janë edhe votues. Futbolli është një sport kolektiv që lëviz shumë interesa dhe emocione. Një si Malago, i mësuar të bëjë gjithmonë më të mirën sepse është një profesionist i madh, është dikush që mund të japë më shumë sesa të marrë, duke pasur edhe përulësi. Fatkeqësisht, në botën përreth shumë duan të jenë aty për të marrë, pa kuptuar që për të marrë duhet të japësh.
Nuk ka asnjë dyshim që nëse Malago do të merrte në dorë futbollin italian, ai do të ngjitej shumë shpejt. Nëse nga nesër do të rinisnim me të, sipas meje brenda dy vitesh do të ishim sërish të fortë. Të shfaqim filmin e titullit të katërt në Hollivud për të gjithë amerikanët do të jetë një argëtim i madh për italianët e pranishëm dhe për amerikanët. Do të kemi aty skuadra amerikane futbolli, si dhe protagonistë të botës së sportit, në një teatër shumë të rëndësishëm në Hollivud. E kemi titruar filmin në anglisht, edhe kjo do të thotë të çojmë pak nga Napoli në botë.”