Të dhënat e fundit ekonomike dhe institucionale, përfshirë raportin e Bertelsmann Stiftung për BTI 2026 Country Report-Kosovo, tregojnë se performanca e Qeverisë Kurti 3 karakterizohet nga rritje nominale pa zhvillim të qëndrueshëm, emigrim i lartë dhe dobësim i treguesve demokratikë.
Performanca e Qeverisë Kurti 3 gjatë periudhës së fundit po vlerësohet gjithnjë e më shumë përmes indikatorëve konkretë ndërkombëtarë, të cilët nxjerrin në pah sfida serioze ekonomike dhe institucionale.
Sipas raportit të Bertelsmann Stiftung për BTI 2026 Country Report — Kosova, i cili mbulon periudhën shkurt 2023 – janar 2025, Kosova vazhdon të përballet me vështirësi në ndërtimin e një ekonomie funksionale të tregut dhe në konsolidimin e demokracisë.
Në planin ekonomik, edhe pse investimet e huaja direkte kanë arritur mbi 1 miliard euro në vitin 2025, struktura e tyre mbetet problematike: rreth 75% janë të orientuara në pasuri të paluajtshme, duke mos krijuar kapacitete prodhuese apo zhvillim industrial . Kjo e bën rritjen ekonomike të brishtë dhe të varur nga ndërtimi dhe konsumi.
Raporti vëren gjithashtu varësinë e lartë nga diaspora, ku remitancat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ekonomisë, por përdoren kryesisht për konsum dhe jo për investime zhvillimore.
Një nga treguesit më shqetësues mbetet tregu i punës. Sipas BTI 2026 Country Report — Kosovo, papunësia e të rinjve arrin deri në 41%, duke reflektuar mungesën e mundësive reale për integrim ekonomik. Si pasojë, emigrimi mbetet i lartë, me mbi 250 mijë qytetarë që kanë lënë vendin në vitet e fundit.
Në aspektin institucional, raporti thekson dobësitë në sundimin e ligjit dhe nivelin e korrupsionit, të cilat vazhdojnë të dëmtojnë besimin e qytetarëve dhe investitorëve. Kosova mbetet në mesataren e ulët të indeksit të lirisë ekonomike, me rënie të vazhdueshme të pikëve në vitet e fundit.
Ndërkohë, situata me lirinë e mediave është përkeqësuar ndjeshëm, me rënie drastike në renditjet ndërkombëtare, duke ngritur shqetësime për presion politik dhe mungesë transparence.
Raporti i Bertelsmann Stiftung për BTI 2026 Country Report — Kosovo vlerëson se pa reforma të thella strukturore dhe forcim të institucioneve, Kosova rrezikon të mbetet në një cikël rritjeje të brishtë dhe pa ndikim real në mirëqenien e qytetarëve.
Në përmbyllje, kjo qeveri erdhi me një kapital të jashtëzakonshëm besimi, me shpresë të madhe dhe pritshmëri të larta për ndryshim të thellë.
Por sot, përballë këtyre të dhënave, duket qartë se ajo jo vetëm që nuk e realizoi këtë premtim, por po e shteron atë besim ditë pas dite.
Nga një mundësi historike për ta kthyer Kosovën në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm, po rrëshqet drejt një realiteti të brishtë ekonomik dhe institucional, duke e zhgënjyer shpresën që vetë e kishte ngritur.