Rumuni Horatiu Mircea Fesnic do jetë arbitri kryesor i duelit Andorra – Shqipëri, i cili luhet më 13 nëntor dhe vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.
36-vjeçari është një arbitër me përvojë dhe do ndihmohet nga bashkëkombasit e tij, Valentin Avram, Alexandru Cerei dhe Rares Vidican. Në VAR do jenë Ovidiu Haţegan me ndihmës Adrian Costreie.
Horatiu Mircea Fesnic e nisi karrierën si futbollist, ku u aktivizua deri në moshën 19-vjeçare, për t’u fokusuar më pas te arbitrimi. Ai debutoi si arbitër kryesor në Rumani më 12 mars 2012 në moshën 22-vjeçare.
Në vjeshtën e vitit 2016 ai u përfshi në listën e FIFA-s si gjyqtar ndërkombëtar dhe i janë besuar disa ndeshje të rëndësishme. Së fundimi ai gjykoi në fazën e ligës të Europa League sfidat mes Utrecht – Lyon apo Stuttgart – Feyenoord. Ai njihet për lejimin e lojës së fortë dhe ka një mesatare të ulët të kartonëve të verdhë.
Sërish një arbitër rumun gjykon Kombëtaren, pasi edhe në fitoren 0-1 të Shqipërisë në Serbi, rumuni István Kovács ishte ai që gjykoi.