Shkencëtarët kanë njoftuar se inteligjenca artificiale ka krijuar dy molekula të reja që mund të luftojnë gonorrenë (sëmundje seksualisht e transmetueshme) rezistente ndaj ilaçeve dhe bakterin e rrezikshëm MRSA (bakter).
Sipas studiuesve të Massachusetts Institute of Technology (MIT), ilaçet e reja janë projektuar atom pas atomi nga AI dhe kanë treguar efektshmëri në shkatërrimin e këtyre “supermikrobeve” si në laborator, ashtu edhe në testime me kafshë, shkruan BBC.
Megjithatë, përpara se të mund të përdoren te pacientët, këto molekula kanë nevojë për vite të tëra zhvillimi, përmirësimi dhe prova klinike.
Ekspertët e MIT besojnë se përdorimi i inteligjencës artificiale mund të nisë një “epokë të dytë të artë” në zbulimin e antibiotikëve, në një kohë kur rezistenca ndaj tyre është një nga kërcënimet më të mëdha shëndetësore globale.
Infeksionet që nuk i përgjigjen më trajtimeve aktuale shkaktojnë mbi 1 milion vdekje çdo vit. Mjekët thonë se mbidozimi dhe përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve ka ndihmuar bakteret të zhvillojnë mekanizma mbrojtës kundër ilaçeve, ndërsa mungesa e antibiotikëve të rinj është një problem prej dekadash.
Më herët, inteligjenca artificiale është përdorur për të analizuar mijëra kimikate ekzistuese me synimin për të identifikuar substanca që mund të shndërrohen në antibiotikë të rinj.