Kualifikueset e Kupës së Botës 2026 vijuan këtë të hënë me shtatë ndeshjet e radhës në disa grupe. Tri pikë për Kosovën dhe Kroacinë, ndërsa Italia triumfoi 4-5 kundër Izraelit në një ndeshje ‘të çmendur’.
Botërori 2026/ Kosova autokritikë në ‘Fadil Vokrri’, mposht 2-0 Suedinë! Gattuso ‘ilaç’, Italia përmbys 4-5 Izraelin në një ndeshje ‘të çmendur’Vedat Muriqi i Kosovës dhe Moise Kean i Italisë
Kosova, Italia, Zvicra, Danimarka, Kroacia dhe Skocia siguruan nga tri pikë në grupet respektive për kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Në Prishtinë, skuadra e Kosovës fitoi 2-0 kundër Suedisë dhe rigjen sukesin pas humbjes në Zvicër. Padyshim ndeshja më e bukur ishte ajo mes Izraelit dhe Italisë, e cila dhuroi nëntë gola dhe në fund ishte Italia që mori tri pikë pas fitores 4-5 në limite.
Në ‘Fadil Vokrri’, Kosova fitoi 2-0 kundër Suedisë në Grupin B. Pas humbjes së tre ditëve më parë në Zvicër, përfaqësuesja dardane ka bërë një autokritikë për t’u mbajtur mend, me një lojë të dominuar. Elvis Rexhbecaj dhe Vedat Muriqi në pjesën e parë shënuan dy golat, duke ‘eklipsuar’ emra si Isak, Elanga apo Gyokeres. Pas dy ndeshjeve të para, Kosova me tre pikë shkon në vendin e dytë, tre më pak se Zvicra kryesuese.
Në fushën neutrale të Debrecenit, Italia fitoi 4-5 kundër Izraelit në një ndeshje të ‘çmendur’, me autogola dhe përmbysje. Gennaro Gattuso duket se është ‘ilaçi’ i Italisë me dy fitore në po kaq ndeshje në stol. Sfida që vlente për Grupin I u zhbllokua nga autogoli i Locatellit, që i dha epërsinë izraelitëve. Më pas Kean barazoi brenda pjesës së parë. Në fraksionin e dytë Izraeli gjeti sërish epërsinë me Peretz, para se Kean dhe Politano të përmbysnin ndeshjen për 2-3. Raspadori në minutën e 81 shënoi golin e katërt për Italinë, por autogoli i Bastonit rihapi ndeshjen. Në minutën e 89-të Peretz shënoi golin e barazimit 4-4 duke shokuar të kaltrit. Italia nuk u dorëzua dhe pas dy minutash shënoi golin e pestë me Tonalin. Me nëntë pikë pas katër ndeshjeve, Italia ndjek kryesuesit e Norvegjisë në Grupin I.
LEXO EDHE:
Dy humbje në tre ditë, Shqipëria U-21 mposhtet 2-1 në Zvicër
Kualifikueset e Kupës së Botës, zona evropiane – e hënë 8 shtator
Bjellorusi 0-2 Skoci
Kroaci 4-0 Mali i Zi
Gjibraltar 0-1 Ishujt Faroe
Greqi 0-3 Danimarkë
Izrael 4-5 Itali
Kosovë 2-0 Suedi
Zvicër 3-0 Slloveni